Trajneri kroat i Ferizajt, Andrej Panadiq ka theksuar se i dhemb zemra për lojtarët, pas humbjes 2:1 nga Malisheva. Ferizaj prej minutës së 12-të luajti me një lojtar më pak në fushë.
Tekniku kroat ka vërejtjet e tij edhe në vendimin për të përjashtuar portierin e Ferizajt.
“Ende besoj se do të mbesim në ligë. Janë edhe gjashtë ndeshje. Nuk do të dorëzohemi. Paraqitje heroike e lojtarëve tanë në një fatkeqësi. Gati tërë ndeshjen luajtëm me një lojtar më pak. Dihet sa energji merr kjo. Dhe në fund lojtarët ranë, por edhe kur ranë luajtën. Nuk kam parë ndonjë dallim mes ekipeve edhe pse luajtëm me një lojtar më pak”, ka thënë Panadiq.
“Të gjithë ishin të lodhur. E kam zëvendësuar një dhe prapë shtatë a tetë mezi rrinin në këmbë. Qëllimi ishte të fitonim dhe në ndeshje të tilla ndodhin shumë gjëra. Në Prishtinë ka qenë situatë e njëjtë dhe lojtar i saj nuk mori karton të kuq. I yni e mori dhe ne vuajmë 90 minuta. Por nuk do të dorëzohemi. Ferizaj mund ta befasojë secilën skuadër. Po na ndodhin shumë gjëra të pakëndshme. Por jemi të guximshëm që me gjithë problemet të vazhdojmë me suksese. Është e pabesueshme sa shumë punojmë, sa mirë luajmë dhe nuk marrim shpërblim për këtë. Sidomos sot nuk u shpërblyem dhe më dhemb zemra për lojtarët”.