Zhvillimet në veri: Nga barrikadat, te kërcënimi i votuesve

Zhvillimet në veri: Nga barrikadat, te kërcënimi i votuesve
Zgjedhjeve të parakohshme në veriun e banuar kryesisht me serbë u paraprinë ngjarje dramatike që rezultuan me barrikada e dorëheqje të orkestruara nga institucionet lokale e qendrore. E, edhe pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, votuesit dhe kandidatët iu nënshtruan një fushate kërcënimi e etiketimi

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veriun e banuar kryesisht me serbë, janë pasojë e një situate dramatike që e përcolli këtë pjesë vitin e shkuar, por edhe këta muaj të 2023-s.

Barrikadimi i rrugëve, sulmet me mjete shpërthyese, forcat e shtuara të sigurisë, e protestat, janë vetëm disa nga karakteristikat që nuk iu ndanë të katër komunave të veriut.

E gjitha nisi pas dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës. I pari do t’i jepte fund përdorimit të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës, e i dyti do të vendoste reciprocitet në dokumentet identifikuese.

Planifikimet e Qeverisë, që vendimet të hynin në fuqi në fillim të gushtit të vjetëm, u penguan nga serbët.

Një natë para hyrjes në fuqi, rrugët drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak, u barrikaduan, zyrtarët policorë u sulmuan e shqiptarët që ishin duke kaluar rrugëve iu nënshtruan maltretimit.

Pas rritjes së tensioneve, një kërkesë të qartë pati ambasadori SHBA-së. Ai kërkoi shtyrje të zbatimit të vendimeve, për një periudhë prej 48 orësh.

“Nuk duam që këto vendime të rishikohen. Duam edhe të jemi të qartë se jemi të shqetësuar se disa individë po i shprehin pakënaqësitë mes vendosjes së barrikadave dhe mohimit të lirisë së lëvizjes”, ka thënë Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA-së në Kosovë, pas një takimi në orët e vona me presidenten Vjosa Osmani.

Kërkesa u miratua e afati për zbatimin e dy vendimeve të Qeverisë u shty.

“Falënderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme ‘KM’ (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, deklaroi kryeministri Albin Kurti.

Por, zgjidhja nuk u arrit brenda dy ditësh. Shtyrja e afatit nuk e përmirësoi situatën në terren. Sulmet vazhduan, kryesisht në drejtim të policëve.

Pa sukses, për gjetjen e një zgjidhjeje, përfunduan edhe takimet pasuese në kuadër të dialogut me Serbinë.

Megjithëkëtë, reciprociteti në dokumente pati efekte.

Serbia filloi t’i njohë dokumentet e Republikës së Kosovës, dhe të heqë dorë nga dokumentet për hyrje-dalje me të cilat i pajiste kosovarët me të hyrë në territorin e saj, raporton Koha.net.

Arritja e marrëveshjes për letërnjoftime nuk ndryshoi vendimin për targat. Nga 1 shtatori, serbët do të kishin dy muaj kohë që t’i konvertonin ato në RKS.

Serbët e interesuar që t’i konvertonin targat në RKS u sulmuan, e pronat e tyre u dëmtuan. Kësisoj, dhjetëra automjeteve që konvertuan targat, iu vunë flakët.

Krahas sulmeve, institucioneve të Kosovës iu rrit edhe presioni nga ndërkombëtarët për shtyrjen edhe më tej të afatit për targat ilegale.

“Ne nuk duam asnjëherë t’i befasojmë aleatët e miqtë, por kriminelët”, pati thënë Kurti, i cili këmbëngulte se nuk mund të kishte shtyrje të re të zbatimit të vendimeve.

Me gjithë refuzimin se nuk do ta shtyjë vendimin për targat, Qeveria e Kosovës gjeti një mënyrë kreative se si ta bëjë atë. Ajo vendosi për sekuencim të afateve të zbatimit të vendimit. Faza e parë parashihte që për 3 javë rresht policët të qortojnë ngasësit e automjeteve me targa ilegale, pastaj nga 21 nëntori parashihej gjobitja e tyre, ndërsa faza e tretë parashihte vendosjen e targave provuese. E tek për këtë muaj, prill të 2023-s, ishte paraparë konfiskimi i targave ilegale dhe ndalimi në qarkullim i automjeteve që bartnin të tillat.

Serbët u kundërpërgjigjën. Komandanti i policisë në veri refuzoi zbatimin e vendimit, por u suspendua.

Lista Serbe, subjekt kryesor politik i Serbëve të Kosovës, e përdori si pretekst këtë masë, për t’i braktisur institucionet qendrore dhe ato lokale në veri.

“Unë Goran Rakiq, jap dorëheqje…”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kur kumtoi braktisjen e postit të ministrit për Komunitete dhe Kthim.

U dorëhoqën edhe deputetët e këtij subjekti politik, kryetarët e komunave të veriut, asamblistët e këtyre komunave, gjykatësit, prokurorët dhe policët në veri. Po kështu, dorëheqjet i paraqitën edhe nëpunës të administratës qendrore e lokale.

Dorëheqjet krijuan boshllëqe në institucionet publike dhe bënë që të shpallen zgjedhjet në katër komunat veriore, për datën 18 dhjetor.

“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire apo vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër”, theksoi presidentja Vjosa Osmani.

Situata e krijuar uli sërish në tavolinë krerët e Kosovës e të Serbisë, kryeministrin Albin Kurti e presidentin Aleksandër Vuçiq.

Kosova pezulloi zbatimin e vendimit për targat ilegale e Serbia u pajtua që të mos lëshojë më targa të tilla.

Marrëveshja nuk e qetësoi veriun. Serbët vazhduan sabotimin.

Edhe përgatitja e mbajtjes së zgjedhjeve u vështirësua. Në përpjekje për të funksionalizuar zyrat në veri, zyrtarë policorë e ata të komisioneve komunale zgjedhore u sulmuan.

Shpërthime të shok-bombave, e gjuajtjet me armë u shpeshtuan, teksa prezenca e Policisë së Kosovës në veri u shtua.

Pas vlerësimit të situatës, mbajtja e zgjedhjeve u shty për datën 23 prill.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, ka thënë ajo një konferencë për media.

Derisa shpërthimet në veri vazhdonin, situata e sigurisë i shqetësoi të gjithë.

Arrestimi i ish-policit Dejan Pantiq, nën dyshimin se kishte marrë pjesë në sulmet ndaj zyrtarëve policorë e të komisioneve komunale në veri, vuri në lëvizje serbët.

Barrikadat u rikthyen në rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak, e ato u mbyllën përkohësisht.

Ato u hoqën, tek pas pajtimit mes Kurtit e Vuçiqit për t’u angazhuar në dialog, konform një propozimi franko-gjerman, i cili më vonë mori mbështetjen e gjithë vendeve të BE-së e edhe të SHBA-së.

Dokumenti, që s’e përmban njohjen de-jure nga Serbia dhe që kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, u pranua nga palët.

Kjo s’e ndryshoi qasjen e serbëve të veriut. Ata vazhduan të qëndrojnë jashtë institucioneve, nën arsyetimin se nuk ndërrojnë qëndrim pa u formuar Asociacioni.

Pavarësisht se Asociacioni do të jetë kryetemë në takimin e 2 majit mes Kurtit e Vuçiqit, Lista Serbe i bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit.

E, veprimtarë politikë serbë që e kanë bërë opozitën në veri, kanë bërë përgjegjëse këtë parti, por edhe Beogradin zyrtar, për frikësim dhe shantazh ndaj kandidatëve e votuesve të zgjedhjeve të së dielës.

Gazetarja Zorica Vorguçiq, ka thënë se frika është arsyeja kryesore që serbët në veri nuk kanë kandiduar për këto zgjedhje, pasi ka theksuar se ata frikësohen nga etiketimet e kërcënimet.

“Ekzistojnë pretendime se disa serbë në veri kanë marrë ‘këshilla shoqërore’ që të mos kandidojnë. Është pikëpyetje se a do të dalin dhe kush do të dalë në ato zgjedhje, edhe nëse mbahen”, ka thënë ajo. “Të gjithë e dimë si kanë shkuar zgjedhjet e tjera, si janë mbajtur, se si serbët kanë dalë masivisht në zgjedhje. Faktikisht kanë qenë të detyruar”.

Por, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka theksuar se përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, serbët duhet të marrin pjesë në votim.

Ai ka theksuar se të dielën është mundësia që përmes votës së qytetarëve, “grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiqit të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta”.

Related Articles