Fitojnë Ballkani e Gjilani, Llapi barazon me Dukagjinin

Fitojnë Ballkani e Gjilani, Llapi barazon me Dukagjinin

Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e javës së 30-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Derbi i sotëm mes Llapit dhe Dukagjinit u mbyll pa fitues, 1:1.

Arbër Shala kaloi Dukagjinin në epërsi në minutën e 25-të, duke heshtur stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Por, vetëm katër minuta më vonë, Festim Alidema arriti të barazojë rezultatin.

Ky rezultat nuk i konvenon asnjërës skuadër, pasi tani mbesin larg pozitës së tretë në tabelë.

Të dyja ekipet tani kanë nga 40 pikë dhe gjenden në pozitat pesë, respektivisht gjashtë.

Ballkani ka shënuar fitore të thellë, duke e mposhtur 7:2 Trepçën’89 në shtëpi.

Albin Berisha me dy gola dhe Lumbardh Dellova me një i dhanë epërsinë prej tre golave pas pjesës së parë ekipit suharekas.

Në të dytën, Albion Rrahmani shënoi dy herë dhe Edvin Kuc e Van-Dave Harmon nga një për 7:0.

Mysafirët arritën të shënon dy here në minutat e fundit përmes Armend Gashit dhe Adu-Kwaw.

Me këtë fitore, Ballkani rikthehet në pozitën e parë me 61 pikë, një më shumë se Drita, kurse Trepça’89 mbetet me 33 pikë në pozitën e tetë.

Fitore sot shënoi edhe Gjilani që e mposhti në shtëpi 1:0 ekipin e fundit në tabelë, Drenicën.

Ishte Baton Zabërgja që shënoi golin e vetëm në ndeshje në minutën e 50-të.

Me këtë fitore, Gjilani “blindon” pozitën e tretë me 46 pikë, pesë më shumë se Prishtinë që gjendet një vend më poshtë.

Në anën tjetër, Drenica mbetet e fundit me 23 pikë dhe e rrezikon seriozisht rënien nga elita për herë të parë në histori.

Related Articles