Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave.
Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi të cilit i kushtoi me ndalim policor tentativa për ta furnizuar me drogë të birin është Sali Pajaziti, 54-vjeçar.
I dyshuari kishte shkuar për vizitë te i burgosuri dhe i kishte dërguar substanca narkotike, të llojit marihuanë.
Por plani i dështoi, pasi siç mëson Sinjali, ai u kap nga oficerët korrektues, pasi e kontrolluan, duke ia gjetur kështu drogën të fshehur në rroba.
Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, ku u sekuestrua droga, teksa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar edhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.