Në media është publikuar Raporti Zyrtar i Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili flet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky raport është publikuar pas darkës së Josep Borrell-it me liderët e Ballkanit Perëndimor, raporton Gazeta Enigma.
Sipas këtij dokumenti, kryesimi i Këshillit të Bashkimit Evropian nga Sllovenia në periudhën kohore prej 6 muajsh, nga korriku deri në dhjetor, shihet si një mundësi shumë e mirë për arritjen e një marrëveshjeje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë presidencës së Sllovenisë në Këshillin e BE-së për vitin 2021, ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit përmes dialogut”, thuhet në këtë dokument.
Derisa përmenden edhe “non-papers”, të publikuar ditë më parë, duke thënë se të njëjtët e kanë pasur për qëllim prishjen e imazhit të Sllovenisë para marrjes së kryesimit të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, meqë në Ballkanin Perëndimor ekziston një pikturë pozitive për Slloveninë.
“Imazhi i Sllovenisë në vendet e Ballkanit Perëndimor është përgjithësisht pozitiv dhe ky vend është i mirëpritur prej të gjitha palëve. “Non-paper” kishte tendencë prishjen e këtij imazhi të Sllovenisë, para se ky vend ta merrte presidencën e Këshillit”, theksohet tutje.
BE-ja e sheh të nevojshme që shtetet e Bashkimit Evropian ta mbështesin punën dhe agjendën e Miroslav Lajcak-ut dhe ta nxisin kryeministrin Albin Kurti që të jetë i përkushtuar në procesin e negociatave dhe të mos ketë vonesa, të cilat mund të vijnë si rezultat i zgjedhjeve lokale në Kosovë, që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.
“Zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti, mund t’ia humbasin z. Kurti paksa fokusin në procesin e dialogut. Është e rëndësishme që me këtë rast vendet e BE-së ta përkrahin agjendën e Lajçakut dhe ta nxisin z. Kurti që të jetë i përkushtuar pa vonesa”, thekson ky raport.
Përveç kësaj, thuhet se qarqet e ndryshme politike duhet t’i bëjnë presion opozitës për lehtësimin e marrëveshjeve të ardhshme dhe që ta përkrahin arritjen e një kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë raport thuhet se Albin Kurti ka treguar që s’ka gatishmëri brenda Kuvendit të Kosovës për të shkuar drejt një marrëveshjeje me Serbinë, derisa BE’ja një gjë të tillë e sheh si një shenjë që mund të çojë në skenar të ri për zgjerimin e koalicionit me qëllim të rritjes së përkrahjes politike.
“T’u bëhet presion qarqeve specifike politike të opozitës në Prishtinë për lehtësimin e marrëveshjeve të ardhshme dhe të binden për nevojën e arritjes së një kompromisi historik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Z. Kurti u shpreh për mosgatishmërinë politike të Kuvendit të Kosovës, gjë që mund të shkaktojë paqëndrueshmëri afatgjatë politike edhe brenda vetë grupit parlamentar të tij. Këto ndërlikime të brendshme do të adresohen me skenarë të rinj, siç është zgjerimi i koalicionit qeveritar në mënyrë që të zgjerohet mbështetja politike”, thuhet në Raportin e Këshillit të BE’së, të publikuar nga “Demokracia”.
/Gazeta Enigma/