Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, atë të Italisë, Antonello De Riu, dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Matthias Conrad.
Në njoftimin e Kryeministrisë, thuhet se Kurti në takim ka theksuar “sjelljet dhe veprimet e njëpasnjëshme të Serbisë të cilat bien ndesh dhe shkelin Marrëveshjen Bazë, marrëveshje kjo që ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, krahas shteteve tjera anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Mbështetje që kryeministri Kurti u kërkoi që të vazhdojnë ta kenë deri në zbatimin e plotë të saj”, thuhet në njoftimin e Zyrës për media të Kryeministrisë.
Kreu i ekzekutivit ka falënderuar përfaqësuesit diplomatikë për mbështetjen e tyre dhe të vendeve të tyre ndaj Kosovës për pranimin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, “si një ndër hapat më madhor të Republikës sonë që pas shpalljes së pavarësisë”.
Në takim thuhet se u diskutua edhe për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars në Ohër ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për takimin në Bruksel me 2 maj.
“Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Planit të Zbatimit, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e tij për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike. Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës së nivelit të lartë politik, ai tha pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara”, u tha në njoftimin e Kryeministrisë.