Deputetja e partisë Guxo, Jeta Statovci, thotë se drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj në rastin e kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Ajo në emisionin informativ javor të ekonomisë, Portofol, ka thënë se me të në krye kjo korporatë është kthyer nga humbjet të jetë në fitim.
“Korporata ka pasur rritje të efikasitetit. Vitin 2022 e kaluar e ka mbyllur me 107 milionë euro profit”, është shprehur Statovci, e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në rrethanat aktuale sikleti po vjen jo se ka keqpërdorime, por nga pamundësia e keqpërdorimit. Kur kemi ardhur [në pushtet], kemi qenë të parët që kemi kërkuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit që të hyjë në këtë institucion. Për herë të parë një raport i tillë është bërë në vitin 2022”.
Lidhur me paraburgosjen e Krasniqit, Statovci, thekson se nga ajo që ka parë, kontrata për të cilën akuzohet ai, është shkëputur prej vetë atij.
“Nuk është realizuar asnjë pagesë dhe nuk e di se ku është dëmi. Mbetet të shihet se ku është dëmi”.