KB Peja në sezonin 2020/21 e kishte fituar përparësinë e terrenit vendas edhe pse edicionin e rregullt e kishte përfunduar në pozitën e katërt. Peja në serinë gjysmëfinale kishte eliminuar Ponte Prizrenin, ekip që ishte kampion i edicionit të rregullt për ta fituar përparësinë e terrenit në serinë finale të plejofit. Edhe pse Peja kishte qenë e katërta, ka pasur përparësinë e terrenit ndaj Golden Eagle Yllit, ekip që edicionin e rregullt doli i tretë.
Peja në gjysmëfinale kishte triumfuar 3:2 ndaj Ponte Prizrenit për ta marrë përparësinë e terrenit, ndonëse në finale ishte mposhtur nga Ylli.
Situata e njëjtë është edhe këtë edicion, pasi Komisioni Arbitrar të martën ka marrë vendim që përparësia e terrenit në serinë finale t’i takojë Trepçës. Trepça në gjysmëfinale ka eliminuar Sigal Prishtinën që ishte kampione e edicionit të rregullt. Edicionin e rregullt, Trepça e ka mbyllur në vendin e katërt, dy pozita më poshtë se Peja që ishte nënkampione. Seria finale mes Trepçës dhe Pejës nis të mërkurën mbrëma në Mitrovicë.