Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakut, tha se draftstatuti i Asociacionit, i prezantuar nga ekipi menaxhues, është pikënisje e rëndësishme e diskutimeve të ardhshme. Por, deklarata e tij nxiti reagime në Prishtinë. Në qeveri thanë se ai draft paraqet haptazi dëshirën për një Republika Srbska në Kosova dhe si i tillë nuk mund të shërbejë si bazë për diskutime të mëtejme.
Ka nxitur reagimin e institucioneve të Kosovës, një deklarim i emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, që e dha të hënën për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas Lajçakut, drafti i prezantuar nga ekipi menaxhues, është pikënisje e rëndësishme e diskutimeve të ardhshme.
Grafikë: Miroslav Lajçak, emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbisë
“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi drejtues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve”, ka theksuar Lajçak.
Dokumenti që u shpalos në takimin e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është kundërshtuar nga pala kosovare, ndërsa ekipi menaxhues që e ka hartuar atë, është shkarkuar.
Në Qeveri thanë se drafti paraqet dëshirën për Republikë Sërpska në Kosovë dhe si i tillë s’mund të jetë bazë për diskutimet e mëtejme.
“Drafti i prezantuar në takimin e 2 majit në Bruksel është fundamentalisht kundër Kushtetutës, kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, demokracisë, vlerave evropiane, të drejtave të njeriut, dhe të drejtave të pakicave sipas standardeve evropiane. Ai draft paraqet haptazi dëshirën për një Republika Srbska në Kosova. Si mundet Republika Srbska të jetë bazë ose pikënisje për diskutime të mëtejme?”, ka deklaruar, Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.
Lajçakut i reagoi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mund të jetë bazë për negociata. Unë këtë mendim e kam. Sepse nuk ka logjikë që me u nis prej një pozicioni antikushtetues, pra që nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës e me mbërri te Kushtetuta e Kosovës. Ashtu nuk mundesh me mbrri kurrë. Pikënisja duhet me qenë brenda Kushtetutës së Kosovës”, është shprehur Konjufca.
Dtaftstatuti i propozuar nga ekipi menaxhues, përpos listës së gjatë të kompetencave ekzekutive, ka paraparë edhe të drejtën e referendumit për serbët.
Në Bruksel, Kosova ka propozuar një draftvizion për këtë mekanizëm, e që sipas kryeministrit Albin Kurti, bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare.