Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, është shpallur “Futbollisti i Vitit” nga Shoqata e gazetarëve sportiv anglezë (FWA) për sezonin 2022/23.
Haaland është duke finalizuar një super sezon debutues me Cityn, pasi tashmë ka marrë çmimin e parë individual si “futbollisti i vitit” në Ligën Premier.
Norvegjezi mori 82 për qind të votave të FWA, duke lënë pas vetes dyshen e Arsenalit, Bukayo Saka në vendin e dytë dhe Martin Odegaard i treti.
Bashkëlojtari i Haaland, Kevin de Bruyne ishte i katërti në listë, ndërsa Marcus Rashford i Manchester Unitedit kompletoi pesëshen.
Haaland ka kontribuar me 51 gola të pabesueshëm në të gjitha garat deri më tani këtë sezon, ndërsa City kërkon të sigurojë një tripletë historike.
Në Ligën Premier, norvegjezi ka shënuar 35 gola duke thyer rekordin për më shumë gola në histori brenda një sezoni, teksa ka shtuar edhe 7 asistime.
Haaland do të marrë çmimin e tij në darkën e 75-vjetorit të “FWA Futbollisti i Vitit” në Londër më 25 maj.