Pas zgjedhjeve të 23 prillit ku u zgjodhën katër kryetarët e komunave veriore të premten pritet të nis procesi i betimit të kryetarëve të rinj, duke filluar me betimin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës, Erden Atiq.
Seanca solemne e betimit të kryetarit të ri të kësaj komune do të mbahet në orën 11:00, e të gjitha përgatitjet janë duke shkuar të qeta dhe në mënyrë normale.
Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku tha se për dallim nga komunat tjera veriore Komuna e Mitrovicës veriore e ka objektin në funksion.
“Përgatitjet janë duke shkuar normal. Për dallim nga komunat tjera veriore, komuna e Mitrovicës e ka objektin në funksion. Kemi qenë gati klinikisht të vdekur, por është një drejtori e ka mbajt gjallë komunën,e ajo është drejtoria e Administratës Publike…”, ka thënë Sadiku.
Po ashtu, ai theksoi se betimi do të kalojë pa asnjë telashe dhe gradualisht do t’i kryejnë funksionet e tyre për çka janë zgjedhur.
I pyetur se si e vlerëson deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier se pret që kryetarët e rinj të marrin rol teknik e jo politik, Sadiku tha: “Po duhet të mësojmë dhe dalëngadalë demokracinë…Edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama nuk ka kompetenca të mëdha. Realisht, çdo kryetar i çdo komune në Kosovë është kryetar teknik, se sa i çështjeve politike…”.
“Është i bllokuar buxheti i komunës veriore. Komuna në konto nuk ka asnjë qarkullim që është nga tatimpaguesi i Kosovës e dëmet shkojnë tek qytetarët. Nuk ka Drejtori të Emergjencës në komunë…në 5 km katrorë Mitrovica ka telashe”, theksoi Sadiku, gjersa shtiu se “në veri është qetësi, vetëdija e qytetarëve është mbi nivelin e politikanëve. Këtu jetojnë familje dhe gjithçka është qetë. Nga e hëna presim që të zgjidhen dalëngadalë problemet e grumbulluara të qytetarëve. Prej muajit janar nuk është arritur që të iu ndihmohet nga vërshimet që janë bërë. Bëj apel që të ndihmohen qytetarët në nevojë”.
Ditë më parë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka thënë se zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”.
“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori amerikan për Telegrafin në këtë intervistë ekskluzive.
Sipas tij, çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët.
Por, Hovenier më tej ka thënë se zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. “Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur”, ishte shprehur ambasadori Hovenier.
E një ditë para betimit të kryetarit të Mitrovicës në veri, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë thirrje që të mos ketë veprime të cilat mund të rrisin tensionet në veri.
Përmes një njoftimi, u është bërë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme në katër komunat në veri.
Sipas tyre, këtu përfshihet edhe procesi i betimit të kryetarëve të rinj, pas siç thonë ata, nuk ka kërkesë që betimi të bëhet në zyrat komunale.
“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thuhet në njoftim.
Tutje, potencohet se QUINT-i mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Komunitetit/Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Ndërkaq, KFOR-i një ditë më parë ka sqaruar se sigurinë do ta mbajë Policia e Kosovës.
Më tej, u tha se KFOR-i do ta monitorojë situatën dhe do ta mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm.
Ndërkaq, para betimit të kryetarëve të rinj në veri kryeministri i vendit, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Siç bën të ditur Chollet në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, ai theksoi se të gjitha palët duhet të shmangin veprimet provokuese në veri.
Tutje theksoi se zbatimi i Asociacionit do të hapë dyert për Kosovën, duke përfshirë njohjen eventuale reciproke.