Mediat në Irlandë i kanë kushtuar artikull rastit të një kosovari i cili ishte shpallur fajtor për vrasjen e partneres së tij, Anna Finnegan, me të cilën ishte në lidhje për 16 vjet dhe me të cilën ka dy fëmijë.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 21 shtator 2012, ku raportohet se kosovari e kishte vrarë duke e therur me thikë në gjoks. Vesel Jahiri, u dënua me burgim të përjetshëm në Dublin.
Ai poashtu u shpall fajtor në vitin 2017-të për therjen e Karl Finnegan, vëllait të ish-partneres së tij.
Por, kosovari pretendon se nuk është fajtor në të dyja rastet. Ai deklaroi para gjykatës se në vetëmbrojtje e kishte therur me thikë vëllain e ish-partneres, pasi ky i fundit, sipas tij, e kishte qëlluar i pari.
Por, siç shkruan portali irlandez breakingnews.ie, i akuzuari në seancën gjyqësore e kishte sulmuar prokurorin, duke e goditur në fytyrë dhe kjo ka bërë që seanca të ndërpritej.
Vesel Jahiri, tani po e vë në dyshim vendimin e gjykatës. Në apelimin e rastit, ai ka kërkuar që të lirohet për shkak se konsideron se prokuroria nuk i ka trajtuar drejt provat.
Sipas tij, ai nuk ishte autor i krimit në këtë rast. 42-vjeçari pretendon se ish-partnerja e tij, Anna Finnegan, ishte goditur nga vëllai i saj, pasi ishte përpjekur që të ndërhynte në mes gjatë zënkës.
Kosovari thotë se nuk është bërë kontrollimin i duhur i thikës.
Ai shtoi se gjyqtari ka gabuar pasi që e kishte përjashtuar nga seanca për shkak të sjelljes, duke ia mohuar fjalën mbyllëse.
Çka tha vëllai i viktimës në seancë?
Në seancën gjyqësore dëshmoi edhe Karl Finnegan, vëllai i ish-partneres së kosovarit Vesel Jahiri. Finnegan tha se kishte shkuar në ditën kur kishte ndodhur krimi në shtëpinë e motrës së tij, më 21 shtator rreth orës 19:30. Motra e tij Anna, më pas kishte mbërritur në shtëpi me fëmijët e saj. Sipas tij, ai dhe motra e tij kishin qenë të ulur në tavolinën e kuzhinës kur dëgjuan një “krismë të fortë” ndërsa dera e përparme e shtëpisë po futej me forcë.
Ai ngriti sytë dhe pa Veselin duke zbritur në korridor me thikë. Ana kishte bërtitur dhe ishte ngritur nga tavolina, deklaroi ai.
Finnegan tha se kishte marrë një karrige për ta mbajtur 42-vjeçarin nga Kosova në distancë, por papritmas iu kishte zhdukur karrigeja, dhe nuk e di se si kishte ndodhur. Atij iu ishte errësuar pamja dhe pasi ishte zgjuar e kishte parë se po i rridhte gjak nga koka, por se nuk e kishte kuptuar se kishte plagë edhe në gjoks.