Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar në seancën e sotme të Kuvendit një rezolutë për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala e mori fjalën i pari, duke thënë se menaxhimi i këtij dikasteri nga ministrja Rozeta Hajdari “ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati qeverisës”.
Ai tha se ka pasur shumë “skandale e afera të pazbuluara ende”.
“Ju them me përgjegjësi të plotë. Nëse pas sotit, kryeministri Albin Kurti dhe mazhoranca nuk reagojnë, atëherë ta keni të qartë se dikush i fortë, shumë i fortë në Qeveri po i qëndron prapa në mbulimin e këtyre aferave milionëshe”, tha Shala.
Pas tij foli kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
“Si po keni mundësi me i pasë gjithë këto informatat tjera, për gjithë sektorët tjerë, e nuk po i keni informatat për periudhën kur keni bashkëqeverisë”, tha ajo ndër tjerash.
Kusari-Lila përmendi sukseset, që sipas saj i ka shënuar Ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari.