Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Dalak të Vushtrrisë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj babait të tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 65-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se i biri e ka sulmuar fizikisht duke e goditur dhe si pasojë ka marrë lëndime trupore.
I moshuari është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, 36-vjeçari është ndaluar për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.