Ambasadorët e pesë shteteve të QUINT-it; i SHBA-së, i Mbretërisë së Bashkuara, i Gjermanisë, i Italisë dhe i Francës, gjenden në Qeverinë e Kosovës.
Ato raportohet se po mbajnë takim me Kryeministrin Albin Kurti, për zhvillimet e fundit në veri.
Gjatë ditës, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier është takuar me dy kryetarët e rinj të komunave veriore, që vijnë nga radhët e PDK-së. Ndërkaq dy të tjerët, që janë të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk kanë shkuar në takim.
Më vonë, Hovenier u takua me Presidenten Vjosa Osmani, e pas këtij takimi tha se “situata është tejet shqetësuese”.
Ky takim vjen pas thirrjeve të përsëritura të shteteve të QUINT-it prej të premtes, që Qeveria të tërhiqet nga dërgimi kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave veriore.
Të premten, me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, kryetarët e tri komunave, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, kanë hyrë në objektet komunale, me asistimin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, përkundër protestave nga një turma të banorëve lokalë serbë.
Të hënën, protestat kanë vazhduar, por para objekteve të komunave kanë qëndruar edhe trupa të shumtë të KFOR-it, që kanë evituar konfrontim të policisë me protestues.