Kurti: Kushtetuta kërkon që të mos ketë individë më të fuqishëm se shteti

Kurti: Kushtetuta kërkon që të mos ketë individë më të fuqishëm se shteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ligji e Kushtetuta e kërkon që në Kosovë të mos ketë individë e banda më të fuqishme se shteti.

Duke folur në “Konfront” të KTV-së se a rrezikohen raportet e Kosovës me aleatët pas insistimit që kryetarët e rinj të komunave në veri të ushtrojnë detyrën nga objektet komunale pavarësisht protestave të serbëve, Kurti ka thënë se “çfarëdo bujarie e tolerancë nga nacional-shovinistët shihet si frikë”.

“Aleatët ndërkombëtarë, partnerët tanë të cilëve u jemi pafundësisht, përjetësisht falënderues e mirënjohës, janë shumë të mira, janë intensifikuar në këto dy vjet dhe ata e kanë njohur Republikën e Kosovës me kufijtë që i kemi në hartën në flamur. Dhe ne nuk po bëjmë asgjë më shumë ose më pak, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Tash, mund të kemi taktika e strategji, mirëpo u dëshmua që karshi bandave nacional-shoviniste, të ekstremit të djathtë, çfarëdo gjeneroziteti, çfarëdo bujarie, çfarëdo sjellje tolerante, keqkuptohet si frikë ose dobësi. Pra, në momentin që kryetari i komunës nuk shkon atje, a mendoni që do të jenë falënderues ata? Ata do të thonë ‘u frikësuan’, ata do të thonë ‘e shihni, janë të dobët’. Republika e Kosovës është e fortë. Nuk ka individë…”, ka thënë Kurti.

Se a po përpiqet të tregojë se Kosova është e fortë, Kurti ka thënë se këtë e kërkon ligji.

“Atë e kërkon ligji, jo e tregoj unë. Ligji kërkon, Kushtetuta kërkon, që në Republikën tonë të mos ketë individë dhe banda më të fuqishme se shteti. Unë jam në këtë zyrë me këtë obligim, ky është obligim”, ka thënë ai.

Related Articles