Supremja gjen shkelje, kthen në rigjykimin rastin e katër të dënuarve për vrasjen e të miturit në Prishtinë

Supremja gjen shkelje, kthen në rigjykimin rastin e katër të dënuarve për vrasjen e të miturit në Prishtinë

Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim lëndën e katër të dënuarve për rastin e vrasjes së të miturit L.B. në Prishtinë në mars të 2020-ës.

Aktgjykimi i Supremes është shpallur më 25 maj 2023 një vit pasi Gjykata Themelore kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve derisa Apeli kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë më 21 nëntor të 2022. raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte dënuar Eduard Ibrahimin me 22 vite burgim, si dhe Egzon Matoshin me 2 vite burgim, Përparim Ibrahimin me 3 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë, kurse Lirim Begolli me 2 vite e 6 muaj burgim, lidhur me vrasjen e të miturit L.B.

Pavarësisht se kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kishin bërë vetëm mbrojtësit e Eduard Ibrahimit dhe Përparim Ibrahimit, lënda është kthyer në rigjykim për katër të akuzuarit.

“Duke e pasur parasysh ndërlidhjen reciproke të veprave penale për të cilat janë shpallur fajtorë të dënuarit Eduard Ibrahimi, Përparim Ibrahimi, Egzon Matoshi dhe Lirim Begolli, Gjykata Supreme vendosi të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe të gjykatës së shkallës së dytë edhe sa i përket dy të dënuarve të fundit, pavarësisht se të njëjtit nuk kanë paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë”, thuhet në aktgjykimin e Supremes të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të Supremes, është provuar si e bazuar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarve Eduard Ibrahimi dhe Përparim Ibrahimi.

“Anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 7 qershor 2020 dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit i datës 21 nëntor 2021, ashtu që kjo çështje penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”, thuhet në aktgjykim.

Aktgjykimi është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Mejreme Memaj, kryetare e kolegjit, Afrim Shala dhe Agim Maliqi, anëtarë të Kolegjit.

Sipas aktgjykimit të Supremes, gjykata e shkallës së parë nuk ka arsyetuar asnjërën prej provave të administruara, por vetëm e ka mohuar mbrojtjen e nevojshme me arsyetimin se nuk është shtënë nga arma, edhe pse ekspertiza mjeko-ligjore e thotë të kundërtën.

Sipas Supremes, vendimi ndaj Ibrahimit është jo i drejtë, pasi dënimi është i lartë duke pasur parasysh moshën e tij 19-vjeçare në kohën e kryerjes së veprës penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2020, Eduard Ibrahimi thuhet se më 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, e ka privuar nga jeta të miturin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Ibrahimi kishte pasur konflikt disa ditë më parë me tani të ndjerin L.B, dhe se vrasja kishte ndodhur derisa tani i ndjeri kishte qenë duke ecur rrugës së bashku me të dëmtuarit R.G. dhe B.S., nga drejtimi i lagjes “Arbëria” në drejtim të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, pas tyre kishin shkuar me motoçikletë-skuter i pandehuri Ibrahimi dhe i pandehuri Egzon Matoshi, të cilin e kishte drejtuar Ibrahimi, ndërsa prapa tij ka qenë ulur i pandehuri Egzon Matoshi.

Aty thuhet se kur janë afruar përafërsisht 10 metra, i pandehuri Eduard Ibrahimi e ka ulur shpejtësinë e lëvizjes dhe ka zbritur nga motoçikleta, të cilën e ka mbajtur i pandehuri Egzon dhe pastaj menjëherë i pandehuri Eduard e kishte nxjerrë nga brezi pistoletën dhe kishte shtënë në drejtim të të ndjerit L.B, duke e qëlluar në kokë, e pastaj të dy kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në ato çaste dëshmitarët e lartcekur dhe kalimtarët e rastit ofrohen për t’i dhënë ndihmë L.B., por tani i ndjeri kishte pësuar dëmtime të rënda dhe pas disa minutave është dërguar për ndihmë mjekësore, ku edhe përkundër ndihmës mjekësore të ofruar nga mjekët në QKUK, kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Sipas prokurorisë, pranë vendit të ngjarjes ishte gjetur një armë zjarri pistoletë e gazit “Ekol Special”, me mbushje të barotit, si dhe një gëzhojë e kalibrit 7.65x17mm që është shkrepur nga kjo pistoletë, si dhe një gëzhojë e shkrepur nga pistoleta e të pandehurit.

Për këto veprime, prokuroria Eduard Ibrahimin e ngarkonte me veprën penale “vrasja e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa të akuzuarin Egzon Matoshi, me veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Për të njëjtën vepër penale, akuzohej edhe Përparim Ibrahimi, i cili thuhet se i ka dhënë ndihmë të pandehurit Eduard Ibrahimi, duke i fshehur mjetet, provat e kryerjes së veprës penale. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pasi i pandehuri Eduard Ibrahimi e ka kryer veprën penale të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës, ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe ka shkuar tek i pandehuri Përparim Ibrahimi dhe të njëjtit ia ka dhënë armën e zjarrit pistoletë, me mbishkrim “Zragy” të njëjtën i pandehuri Përparim e ka fshehur tek shtëpia e tij, ku më 13 mars 2020, arma e lartcekur është sekuestruar nga policia.

Tutje, ai akuzohej edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi sipas prokurorisë, nga 12 deri më 13 mars 2020 kur edhe i është sekuestruar arma nga policia, atë e ka mbajtur në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, me të cilën Eduard Ibrahimi e ka kryer veprën penale të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës.

Edhe i pandehuri Lirim Begolli, akuzohej se u ka dhënë ndihmë kryesve pas kryerjes së veprave penale, të pandehurit Eduard Ibrahimi dhe të pandehurit Egzon Matoshi. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pasi dy të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara si më lartë, i pandehuri Lirim Begolli ka shkuar me veturën e tij të tipit “Golf 3” te shkolla “Zenel Hajdini” në Prishtinë, i ka marrë të pandehurit e lartcekur dhe i ka strehuar në shtëpinë e tij, në fshatin Tërnavë të Komunës së Podujevës, ku edhe janë arrestuar nga policia.

Related Articles