Në konferencën për shtyp, selektori i Kosovës, Alain Giresse është pyetur edhe për lojtarët që nuk i ka ftuar për ndeshjet e këtij muaji.
Në listën e tij prej 23 futbollistëve të ftuar, Giresse ka lënë jashtë lojtarë si Arbër Zeneli, Florent Hadërgjonaj, Valon Berisha, Zymer Bytyqi, Arbnor Muja e Mirlind Daku. Ai ka folur për të gjithë këta lojtarë, ndërsa ka shtuar se disa prej tyre janë zgjedhje sportive.
“Sa i përket Florentit, ka të bëjë me arsye personale që ai nuk ka mundur të jetë pjesë e grumbullimit. Te Berisha kam bërë zgjedhje sportive dhe ky është vendimi im. Te Zeneli e Bytyqi, ka të bëjë me minutazhën e vogël që e kanë pasur në klubet e tyre, andaj qoftë në aspektin moral ashtu edhe fizik nuk mendoj se ata ishin të gatshëm për t’u grumbulluar. Madje, me Zenelin kam diskutuar për këtë çështje”, u shpreh Giresse.
“Edhe Mirlind Daku është zgjedhje sportive për disa arsye. Pastaj në repartin e sulmit kemi shumë lojtarë edhe pse jam i vetëdijshëm se ai po luan mirë”.