Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe dje në Prizren, ku një i ri dyshohet se ka rrahur nënën dhe motrën e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se i dyshuari përveç që ushtroi dhunë psikike ndaj viktimave, dyshohet se edhe i ka sulmuar fizikisht, duke iu shkaktuar lëndime, por edhe shqetësim e frikë të madhe.
Kjo ka bërë që nëna e tij ta njoftojë Policinë dhe si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.