Një rast i sulmit seksual, dyshohet se ka ndodhur para një kohe në Pejë, ku Prokuroria Themelore ka nisur hetimet.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një vajzë të mitur, e cila dyshohet se është dhunuar vitin e kaluar, por rasti u raportua tek tash.
Sinjali mëson se gjithçka u zbulua pasi viktima, e moshës 17-vjeçare u denoncua si e zhdukur në Polici, nga babai i saj, i cili kërkoi ndihmë kur e kuptoi se vajza e tij nuk ndodhej në vendin e saj të punës. Pasi u lokalizua vendndodhja e saj, e mitura u dërgua në stacion, ku vendosi të rrëfejë detajet.
Të njëjtat burime thonë se gjatë kohës kur vajza u raportua e zhdukur, e njëjta ka deklaruar se ka kryer marrëdhënie seksuale me një person, por i cili nuk e ka detyruar ta kryejnë një akt të tillë.
Por ndryshe kishte ndodhur rasti i parë, para një viti.
Sipas informacioneve të para, e mitura ka treguar se para një viti, kur ishte 16-vjeçare, një person e kishte detyruar të kryejnë marrëdhënie, pa dëshirën e saj. Vajza ka treguar se ky ka qenë rasti i parë, por që nuk ka pasur guxim ta denoncojë atë që kishte ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është identifikuar personi i dyshuar, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Dhunimi” dhe ndërmarrjen e veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit.