Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit D.O., kurse të dyshuarit tjetër R.P., masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e dorëzanisë në vlerë prej 30 mijë euro.
Dy të pandehurit dyshohen për përfshirje në sulme ekstreme të dhunshme me mjete shpërthyese, ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në veri.
Lajmin për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj dy të lartpërmendurve, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi i procedurës paraprake, Musa Konxhel.
Lidhur me zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë për të dyshuarin R.P., gjykatësi Konxheli tha se ka dhënë pëlqim edhe vetë Prokuroria Speciale e Kosovës, pas propozimit të mbrojtjes së të dyshuarit.