Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj i ka cilësuar si problematike masat të cilat Bashkimi Evropian i ka ndërrmarë ndaj Kosovës.
Molliqaj deklaroi se ato janë sanksione ndaj një vendi demokratik siç është Kosova, i cili shtet siç tha ai, është ndërtuar me përkrahjen ndërkombëtare.
“Në rrafshin politik të jashtëm janë jashtëzakonisht problematike masat në kuptimin e asaj që BE-ja po i vendos masa apo sanksione, si të doni, por ato janë praktikisht sanksione një vendi demokratik qysh është Kosova, e cila është ndërtuar edhe me mbështetjen ndërkombëtare. Në një dialog të sanksionohet veç njëra palë, ne mundemi me thënë që BE-ja është e padrejtë, mundemi me u anku sa të doni, e vërteta e jonë është se ne jemi të sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Problemi im është këtu që kryeministri një kokëfortësi të tillë e pati treguar edhe me targat “, tha Molliqaj.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka thënë se është për të ardhur keq për këto masa, pasi Kosova sipas tij, vetëm po i mbron vlerat edhe të vetë Bashkimit Evropian.
“Masat janë për të ardhur keq, p.sh. pasi ato janë një reagim ndaj mbrojtjes sonë të patundur të vlerave bazë të vetë BE-së, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Megjithatë, Kosova mbetet aleate e BE-së, besnike ndaj asaj që përfaqëson Unioni”, ka thënë Kurti në Tëvë1.
Bashkimi Evropian e fajëson Kosovën për dërgimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore, duke kërkuar që ata të punojnë në objekte alternative. Po ashtu, kërkojnë që Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga hapësira rreth komunave.
Këto kërkesa të BE-së janë në kuadër të përpjekjeve siç thonë zyrtarët evropianë për de-përshkallëzim të situatës në Veri.