Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla Schwartz, e cilësoi Bashkimin Evropian, si të paaftë në aspektin e sigurisë, duke e quajtur tigër prej letre. Gërvalla drejtoi një sërë kritikash ndaj BE-së, duke thënë se nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë.
Por, çka është ky term dhe kur është përdorur?
“Unë vlerësoj që BE-ja nuk munden, dhe njëjtë ka thënë edhe një analist gjerman para disa ditësh, sepse nuk është e aftë të ofrojë siguri, arsyet dihen. Nuk ka vullnet politik, ka shumë jounitet në bllok, dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letër kur vjen puna te siguria.” – u shpreh ajo.
“Tigri prej letre”
Fraza “zhilaohu” nga kinezishtja fjalëpërfjalshëm përkthehet në “tigër prej letre” dhe përshkruan “diçka apo dikë që pretendon apo duket të jetë më e fortë se sa që në të vërtetë është.”
Kjo shprehje u bë e njohur ndërkombëtarisht nga Mao Zedongu, ish-lideri i Partisë Komuniste në Kinë e përdorur kundër oponentëve politikë, veçanërisht kundër ShBA-ve.
Misionari Robert Morrison ishte i pari që në vitin 1828 e përdori frazën antike “zhilaohu” dhe e përktheu në “tigër prej letre” (ang. “a paper tiger”).Lideri Mao e kishte përdorur për herë të parë shprehjen në gushtin e vitit 1946 në një intervistë me një gazetare amerikane.
“Bomba atomike është tigër prej letre të cilën e përdorin reaksionarët amerikanë për t’i frikësuar njerëzit. Duket e tmerrshme, por në fakt nuk është. Natyrisht, bomba atomike është armë e vrasjes masive, por rrjedhoja e luftës vendoset nga populli, jo nga një apo dy lloje të armëve. Të gjithë reaksionarët janë tigra prej letre. Në dukje, reaksionarët duken të tmerrshëm, por në realitet nuk janë aq të fuqishëm.”
Ai më pas e quajti “tigër prej letre” edhe imperializmin amerikan dhjetë vjet më vonë.
Një tjetër përdorim i kësaj shprehjeje ka ardhur nga ana e terroristit Osama bin Laden, që i kishte quajtur ushtarët e ShBA-ve si “tigra prej letre”.