Vjedhjet e grabitjet brenda shtëpive po u shkaktojnë pasiguri e humbje të mëdha qytetarëve të vendit. Rastet më të shpeshta ndodhin kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, periudhë kjo që shfrytëzohet nga hajnat. Por ka edhe të atillë që pa iu trembur syri depërtojnë nëpër shtëpi edhe kur familjet ndodhen aty.
Me një rast të tillë dhe mjaft të frikshëm është përballur sot në orët e mëngjesit një 81-vjeçar në rrugën “Fehmi Agani” në Gjilan.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se hajnat kanë hyrë me forcë në një shtëpi, duke tmerruar pronarin, i cili jetonte i vetëm dhe u ballafaqua me të dyshuarit.
Hajdutët ia kishin mësyrë shtëpisë së viktimës me plan të detajuar, në mënyrë që sado pak të kapin gjëra me vlerë.
Sipas informacioneve të para, e pazakonta e këtij rasti është se të dyshuarit fillimisht e kanë ndalur energjinë elektrike dhe më pas kanë depërtuar brenda.
I moshuari u trondit kur i pa hajnat brenda shtëpisë, e madje pësoi edhe lëndime, pasi të njëjtit ia morën telefonin dhe aty kulmoi gjithçka, kur viktima humbi vetëdijën.
Gjatë kësaj periudhe, të njëjtat burime thonë se të dyshuarit kanë arritur të kryjnë vjedhje dhe më pas janë larguar, duke mos lënë gjurmë.
Siç mëson Sinjali, posa fqinjët e kanë vërejtur se diçka nuk ishte në rregull, kanë intervenuar, duke e njoftuar Policinë. Njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërkaq viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Në anën tjetër, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme, për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Grabitje” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.