Vitia thotë se gjer më tash në Kosovë nuk ka pasur efekte anësore nga vaksinimi

Vitia thotë se gjer më tash në Kosovë nuk ka pasur efekte anësore nga vaksinimi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se nga mbi 70 mijë qytetarë sa janë vaksinuar kundër COVID-19 në Kosovë nuk ka pasur asnjë efekt anësor serioz. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe ka thënë se nuk ka asnjë arsye për hezitim.

“Hezitimi për vaksinim në nëntor të vitit të kaluar ishte në numër relativisht të lartë, bazuar në një anketë. Por shifra ka rënë. I garantoj qytetarët se nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Nga mbi 70 mijë doza nuk kemi as një efekt serioz anësor nga vaksinat. Vetëm me vaksinim mund të dalim sa më shpejt nga kjo situatë. Jo vetëm për të parandaluar problemet shëndetësore, por për të hapur ekonominë e t’i mundësohet shtetit të marrë frymë lirshëm”, ka thënë Vitia.

Vitia ka thënë se ka qenë e rëndësishme të sigurohen doza të vaksinave për të vaksinuar mjaftueshëm qytetarë të moshës mbi 65 vjet, para verës, për të mundësuar ardhjen e diasporës.

“Ishte e domosdoshme që para muajit korrik apo gusht të sigurojmë sasi të mjaftueshme të vaksinave, sidomos për vaksinimin e atyre mbi 65 vjet. E dimë se bashkatdhetarët tanë janë infuzioni kryesor i ekonomisë, e vitin e kaluar një pjesë e tyre nuk patën mundësi të vinin në Kosovë shkaku i situatës. Tani synimi kryesor është që gjithë këtë proces ta katalizojmë e ta kryejmë sa më shpejt që bashkatdhetarët tanë të vijnë në shtëpi e ta ndihmojnë ekonominë kosovare”, ka thënë Vitia.

Për hezitimin e stafit shëndetësorë që të merrnin vaksinën e AstraZenecas, ai ka thënë se shumica tregoi arsye dhe se është pozitive që pjesa më e madhe e stafit shëndetësorë është vaksinuar tashmë.

“Hezitime e teori konspiracioni ka vazhdimisht, sidomos kur është sëmundje e re apo vaksinë e sapo prodhuar. Nuk ka asnjë problem, nga gjitha studimet që i kemi lexuar. Janë probleme minore që nuk çojnë peshë. Në Kosovë as nga AstraZeneca e as nga Pfizer nuk kemi rast që ka pasur efekt serioz anësor. Jam i sigurt që kjo do të vazhdojë. Në shumicën e rasteve të personelit shëndetësorë që nuk u paraqitën në herën e parë, kishin arsye që i paraqitën, mirëpo me kohë një pjesë e tyre e ka marrë vaksinën. Tani një pjesë e madhe e personelit është vaksinuar”, tha Vitia./KOHA/


Related Articles