Bledi Shkëmbi ia besoi debutimin, Ismet Munishi nuk e aktivizoi fare, ndërsa pak hapësirë i dha Bekim Isufi.
Ky është rrugëtimi i Lindon Emërllahut në fillimet e tij si futbollist senior. Kahe tjetër karriera e Emërllahut mori pas ardhjes së Ilir Dajës në krye të shtabit teknik të tashmë kampionit të Kosovës, Ballkanit.
Emërllahu i është falënderues trajnerit tiranas, Ilir Daja. Thotë se nën drejtimin e tij ka përparuar shumë si lojtar.
“Mund të them që nuk kam pritur një përparim kaq të madh, pasi kam qenë vetëm te Ballkani që nga fëmijëria. Por me ardhjen e profesorit Ilir më ndryshoi e gjithë qasja, mund të them e gjithë jeta ime”, ka thënë Emërllahu për Kohën.
20-vjeçari ka dy asistime në 56 ndeshje. Por ai shquhet për kontributin e madh në anën defanzive, përkatësisht në ndërprerjen e aksioneve të kundërshtarit. 14 prej paraqitjeve i ka në garat evropiane, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës. Së fundi shkëlqeu te martën e kaluar ndaj kampionit bullgar, Ludogorets.
Emërllahu është rritur shumë si futbollist në vitet e fundit. Edhe vlera e tij në tregun e transferimeve ka shënuar rritje të madhe.
Për Emërllahun kjo verë pritet të jetë e fundit me fanellën e Ballkanit të Suharekës. Ai pritet të bëj hapin para në karrierë. Mesfushori nuk e mohon kalimin në ndonjë klub evropian.
“Dua ta përfundoj këtë rrugëtim evropian me Ballkanin, të shkojmë sa më larg dhe pastaj do të ulemi dhe do të diskutojmë me klubin dhe menaxherin”, ka theksuar Emërllahu.
Ai me Ballkanin ka kontratë deri në verën e vitit 2026.
Emërllahu me Ballkanin e ka nisur mbarë rrugëtimin në Evropë. Ishte ndër më të mirët në ndeshjen e parë të Ballkanit kundër Ludogoretsit, në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Shpreson që me Ballkanin të shkoj sa më larg në Champions.
Në edicionin e kaluar, Emërllahu me Ballkanin arritën sukses historik. Luajtën në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Talenti suharekas thotë se lojtarët janë të motivuar vetëm për faktin se paraqiten në nivelin e parë të garave të Evropës.
“UEFA Champions League ta jap vet motivin dhe me lojtarë më me përvojë si Thaqi, Kuçi, Jashanica, Korenica dhe me mbrojtjen shumë stabile, besoj që është shumë më e lehtë për ne mesfushorët”, ka thënë ai.
Emërllahu është stabil në mesfushë. Është luftarak dhe vrapon shumë në fushë.
“Mund të them që me këtë grup lojtarësh që kemi dhe me stafin teknik shumë të mirë, besuam. Futemi në fushë me atë idenë që do të fitojmë dhe nuk do t’ia kemi frikën askujt dhe besoj se kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Duhet të paraqitemi si në Kosovë, ta mbajmë topin dhe t’i shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi”, ka thënë Emërllahu.
Ballkani të mërkurën luan ndeshjen e kthimit me Ludogoretsin.
Falë paraqitjeve të mira me Ballkanin, Emërllahu ka luajtur dy ndeshje për përfaqësuesen A të Kosovës. Ai pret të ftohet edhe në të ardhmen.
“Pavarësisht a ftohem a jo në shtator, unë do të jem i gatshëm gjithnjë për Kosovën dhe ta përfaqësoj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me dinjitet”.
Emërllahu ka edhe tri paraqitje për Shpresat e Kosovës, ndërsa ka shënuar dy gola. Vlerësohet talenti më i madh në futbollin kosovar. Por tashmë nuk është vetëm talent. Po shquhet edhe me pjekurinë në fushën e lojës.