Përqarja midis kreut të Qeverisë së Kosovës dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama sa vjen e shtohet. Ndërkohë me ftohjen e marrëdhënieve midis dy kryeministrave, nga opozita po vlerësojnë se Kurti tashmë e ‘ka harruar’ idenë e bashkimit kombëtar, shkruan Gazeta Enigma.
Ndonëse Rama në deklarimet publike ka ‘zbutur’ diskursin e tij kundrejt Kurtit, është Kurti ai i cili ende s’e ka falur Ramën, për propozimin e Asociacionit të Komunave serbe që ky i fundit ia dërgoi BE-së. E gjithë kjo u tha se u bë njëanshëm nga Rama pa ‘aminin’ e kryeministrit kosovar.
Më 17 korrik, Rama mbajti takim jo-formal me liderët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor. Aty ishte i thirrur edhe kryeministri Kurti, por ai nuk mori pjesë në takim. Kurti ishte në një konferencë në Kretë të Greqisë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar për mos-shkuarjen e Kurtit në takimin joformal e ditës së djeshme në Tiranë.
Kryeziu tha se Kurti nuk ka pasur mundësi t’i përgjigjet pozitivisht Ramës për takim pasi ishte dakorduar më herët për një pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.
Por, ai konfirmoi se Kurti do të jetë prezent në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor të këtij viti.
“Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Rreth mos-shkuarjes së “vëllaut të tij të vogël” në takimin jo-formal në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, ka reaguar kryeministri Rama.
Rama tha se të gjithë ishin të ftuar.
“Kush deshi erdhi, kush nuk mundi nuk erdhi”, tha Rama në një prononcim për media.
Inati i Kurtit me Ramën
Ish-këshilltari i Ramës dhe politologu i njohur, Shkëlzen Maliqi, në një prononcim për Gazetën Enigma, tha se Kurti dhe Rama janë profile të ndryshme politike.
Maliqi tha se Rama nuk po dëshiron të dramatizojë situatën, por është Kurti ai që po mban inate, për arsye të cilat nuk po i bën publike.
“Kurti dhe Rama janë dy profile politike të kundërta. Rama po mundohet me e ndihmu Kosovën në disa aspekte, si p.sh Hartimi i Draft-Statutit për Asociacionin, është një kontribut për situatën, por Kurti po i përqesh këto tentativa. Rama nuk po insiston me dramatizu tepër, kurse Kurti po mban inate, por arsyet nuk i bën publike se pse po i mbanë ato inate”, përfundoi Maliqi.
Kurse analisti politik, Mazllum Baraliu, tha se inatet personale të Kurtit me Ramën po kalojnë në probleme shtetërore.
Baraliu tha se Rama ka pasur sjellje jo të mira edhe ndaj qeverive të kaluara të Kosovës dhe se zhvillimet e fundit nga ana e tij, kanë bërë që të prishen marrëdhëniet edhe me Kurtin.
“Unë mendoj se kemi të bëjmë me një ftohje të marrëdhënieve mes dy individëve, marrëdhënie të cilat reflektohen pastaj edhe në mes të dy shteteve. Rama gjithmonë ka pasur sjellje jo të këndshme jo vetëm ndaj Kurtit, por edhe qeverisjeve të më hershme të Kosovës. Qasja ndaj Ballkanit të Hapur, por edhe propozimi i Draft-Statutit, kanë thelluar ftohjen e marrëdhënieve mes dy kryeministrave” tha ai.
Baraliu cilëson se Rama po ‘përzihet’ në punë që nuk janë të tija, duke u munduar të tregohet një lider i rajonit.
“Pa marrë parasysh sugjerimeve, nuk është puna e Ramës të hartoj një draft-status, i cili po mundohet të tregohet një lider ballkanik”, shtoi ai.
Baraliu kritikon edhe Kurtin për sjelljet e fundit të tij, duke u lënë faj të dyve për zhvillimet e fundit mes tyre.
“Edhe Kurti i’a ktheu me një sjellje të pashembullt, duke mos e pritur Ramën në turin e tij Ballkanik, pas anulimit të mbledhjeve të dy qeverive. Të dy i kanë vecoritë tekanjoze dhe shpeshherë të nxituara, të padëgjuara dhe konsultuara nga të tjerët. Po të kenë këshilltarë të mirë, por si duket nuk i kanë ose nuk i dëgjojnë, ishin dashur të afrohen në këto qaste jashtëzakonisht të rëndësishme. Edhe njëri dhe tjetri ishin dashur të reflektojnë pozitivisht dhe t’i tejkalojnë inatet personale”, tha Baraliu për Enigmën.
Opozita: Interesi personal duhet lënë para interesit shtetëror
Për mos pjesëmarrjen në takimin joformal të liderëve ballkanik në Tiranë, Kurti u kritikua edhe nga përfaqësuesit opozitar.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha se relacionet mes dy shteteve janë më të rëndësishme se inatet personale mes dy kryeministrave.
“Çështja e relacioneve mes dy shteteve është shumë më e ndejshme dhe shumë më e dëmshmë sesa relacionet mes dy kryeministrave” tha Shala.
Shala kritikoi Kurtin i cili sipas tij erdhi në pushtet duke bërë thirrje për bashkim kombëtar, e tani sipas tij, ai po e bën të kundërtën.
“Kurti ka ardhur me pretendimet për të bashkuar kombin, për të integruar cdo pore të jetës sociale, politike dhe ekonomike ndër-shqiptare, ndërsa sot e kemi përcarësin më të madh që ka njoftë historia ndonjëherë. Sot e kemi njeriun që vendos sanksione, njeriun të cilin shkon te krejtë e nuk shkon në Tiranë, njeriun i cili prej dy vitesh, me dhjetëra herë është takuar me akterë serbë, dhe mban idhnim kanunor me kryeministrin e Shqipërisë. Është jashtëzakonisht shqetësuese për vendin, ekonominë, diplomacinë dhe politikën tonë si shtet i ri”, tha Shala për Gazetën Enigma.
Më 16 tetor, në Tiranë do të mbahet samti i ardhshëm i Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është një nismë e krijuar disa vite më parë për të mbështetur integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Gazeta Enigma/