Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, kanë folur edhe me patriarkun e ri të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije për dialogun Kosovë-Serbi.
“Sot bashkë me Palmerin, kam pasur një takim të parë të mirë me patriarkun e ri serb. Diskutuam për pikëpamjet mbi dialogun dhe rajonin”, thuhet në përshkrimin që i ka bërë takimit Lajçaku në Twitter.
Lajçaku e Palmeri së fundmi vizituan edhe Kosovën e Serbinë në prag të rinisjes së dialogut mes dy vendeve.
Pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe dhe shtetit serb për trashëgiminë kulturore në Kosovë u kthyen në kryetemë muajve të fundit qëkur Manastiri i Deçanit u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve evropiane në rrezik.