Qendra e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, e njohur si Kampi “Belevedere”, sot ka marrë emrin e heroit, policit të vrarë, Enver Zymberi.
Aty u zbulua pllaka përkujtimore e tij, ndërsa në këtë ditë memoriale u përkujtuan edhe 22 policë tjerë të rënë në kryerje të detyrës.
Në këtë ceremoni të organizuar nga Policia e Kosovës, përveç familjarëve morën pjesë edhe autoritetet më të larta shtetërore.
Kryeministri Albin Kurti, tha se këta 22 pjesëtarë të policisë u përjetësuan në historinë e Kosovës, duke dhënë jetën në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, si dhe në operacione për shtrirje të rendit dhe sovranitetit të vendit.
Duke ju drejtuar familjarëve të policëve të vrarë, Kurti theksoi se sakrifica e bijve të tyre është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës.
Ai bëri të ditur poashtu se kampi ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të vazhdojnë të zhvillohen e të angazhohen, nga sot e tutje bart emrin e Enver Zymberit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ndjehet jashtëzakonisht krenar që sot përkujtohen 22 policët e rënë në kryerje të detyrës.
Sipas tij, kësaj Qendre, i shkon të mbajë emrin e heroit Enver Zymberi, sepse gjatë kësaj kohe të shkurtër nga ky vend janë marrë vendime të rëndësishme, janë shënuar rezultate të theksuara, në urdhër dhe qëllimin për të cilin dhanë jetën të gjithë këta dëshmorë.