Mungesa e sigurimit shëndetësor e jetësor, paga jo e dinjitetshme dhe kushtet jo të mira të punës, janë disa nga problemet me të cilat vazhdon të përballet Policia e Kosovës. Kështu ka deklaruar kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i cili ka bërë të ditur se vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, për shkak të kushteve jo të mira të punës, kanë dhënë dorëheqje rreth 40 pjesëtarë të policisë.
Policia e Kosovës vazhdon të ballafaqohet me probleme të natyrave të ndryshme. Kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë se me gjithë rrezikshmërinë që mbart mbi vete Policia e Kosovës, që nga themelimi e deri më tani, ende mbetet jashtë sigurimit shëndetësor dhe jetësor.
“Qe 24 vite është themeluar Policia e Kosovës dhe nuk kemi sigurim shëndetësor dhe as jetësor, ndërsa bazuar në specifikat e punës, PK del ndër më e rrezikuara gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Kemi 22 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës, mbi 4 mijë raste të lëndimeve në detyrë e që një pjesë e tyre kanë mbet me invaliditet të përhershëm”, ka thënë Zeqiri për RTK.
Duke folur në emisionin “Fokus” në Radio Kosovë, kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, përmendi edhe ndryshimet, që ka pësuar Policia e Kosovës, me Ligjin e ri të Pagave
“Është kufizuar me 1 për qind të buxhetit të pagave shtesa për rrezikshmëri, e cila qe 6 muaj ende nuk është ekzekutuar me pagat e zyrtarëve policorë. Me Ligjin e ri të Pagave janë goditur edhe pensionistët, ku deri më tani i vetmi shpërblim për zyrtarë të PK kanë qenë tri paga jubilare, tash edhe ato janë anuluar”, u shpreh tutje kryesindikalisti.
Zeqiri tha se vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, rreth 40 policë kanë dhënë dorëheqje vullnetare, e që shumica prej janë për shkak të kushteve jo të dinjitetshme, përderisa paralajmëroi edhe dorëheqje të tjera, nëse vazhdohet me këtë trend.
“Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti kemi rreth 40 dorëheqje vullnetare për shkak të kushteve jo të dinjitetshme, ndërsa për vitin e kaluar janë 100. Në rast se vazhdohet kështu me këto kushte që punon Policia e Kosovës, dhe nuk ka ndonjë reflektim konkret nga qeveria, paralajmërime për dorëheqje ka shumë”, ka deklaruar Imer Zeqiri.
Kryesindikalisti Imeri Zeqiri tha se muajt e fundit për sa i përket mjeteve logjistike dhe uniformave, është kompletuar vetëm policia që vepron në veri të vendit. Ndryshe ditë më parë Sindikata e Policisë se Kosovës dorëzoi në Kuvendin e Kosovës, peticionin e nënshkruar me mbi 62 për qind të pjesëtarëve të saj, që ka të bëjë me pakënaqësinë që kanë ndaj ligjit të pagave.