Zgjedhjet e reja në Veri në horizont, KQZ e gatshme

Zgjedhjet e reja në Veri në horizont, KQZ e gatshme

Pas tensioneve në Veri, zgjedhjet e jashtëzakonshme po shihen në horizont si e vetmja zgjidhje për ta tejkaluar situatën, shkruan Gazeta Enigma.

Qeveria e Kosovës tashmë ka nisur procedurën për largimin e krytarëve të zgjedhur në veri të vendit, e njëkohësisht edhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, siç ka kërkuar Bashkimi Evropain.

Ideja e paraqitur nga kryeministri Albin Kurti është që banorët në atë pjesë ta nënshkruajnë një peticion prej 20 përqind e tyre që janë të regjistruar si votues në komunë.

Por kjo është hedhur poshtë nga ish kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Kjo procedure asnjëherë nuk ka ndodhur në Kosovë, është një depozitë e nenit 72 e ligjit mbi qeverisje lokale ku supozohet se qytetarët nuk janë të kënaqur me qeverisjen e një kryetari komune dhe vendosin që bëjnë një peticion, ku 20 përqind e votuesve të regjistruar të komunës të bëjnë nënshkrimet e tyre dhe t’ia dorëzojnë kryesuesit të kuvendit komunal, i cili më pas atë peticion e dorëzon në KQZ dhe më pas KQZ duhet të organizojë një referendum, ku qytetarët do të votonin përr largimin e kryetarit ku 50 përqind plus një votë të votojnë që ai kryetar të largohet. Por, është një pengesë ligjore, sepse Kosova nuk ka ligj për referendum dhe KQZ nuk ka se si të organizojë  referendum në mungesë të këtij ligji, kjo është gjendja aktuale, po si opsion me automatizëm bie kjo për momentin se s’ka ligj për referendum”, ka deklaruar Daka.

Sipas saj mënyra më e mirë dhe më e drejtë do të ishte që kryetarë aktual në katër komunat në veri të Kosovës, t’i dorëzojnë mandatet e tyre.

Ndërkohë, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se presin nga Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe të vendosë kuadrin ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Gjithashtu, Hovenier ka theksuar edhe kërkesat që u janë dhënë udhëheqësve të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri.

Ai kërkoi nga Lista Serbe që të luajë rolin e saj si në parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur, pasi nuk e konsiderojnë atë si parti politike serbe, por, si parti e serbëve etnikë në Kosovë.

Ndërkohë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se do të organizojnë sërish zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit, kurdo që i kërkohet nga institucionet përgjegjëse.

Elezi potencoi se e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen, prandaj edhe do të merret me të gjitha fazat e organizimit e implementimit të planit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen”, tha Elezi për “Enigmën”.

“Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, vazhdoi ai.

Kur mund të mbahen zgjedhjet?

Ndërkohë, politologu Fidan Ukaj, deklaroi se mundësitë për të ndodhur zgjedhjet e reja pas verës janë të mëdha.

“Tensionet janë të larta edhe pse nuk janë shprehur në rrugë dhe po mbizotron një qetësi që mund të eskaloj, megjithatë veprime për shtensionim ka pasur, sidomos me tërheqjene 25 % të forcave policore nga objektet komunale”, tha Ukaj për Enigmën.

Sipas tij pas takimit mes Bislimit dhe Petkoviqit pritet të ketë një proces zgjedhor pas verës.

“Zgjedhjet do të ndodhin, ne i kemi pare edhe veprimet e fundit të Qeverisë që përmes një udhëzimi administrative t’I gjej modalitetet për t’i detyruar kryetarët të tërhiqen nga ato pozita e t’ju lëshohet rrugë mbajtjes së procesit zgjedhor. Do të thotë që pas verës në ato komuna do të ketë zgjedhje të reja”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka deklaruar gatishmërinë e saj për përgatitjen e bazës ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Megjithatë, kryeministri dhe zëvendëskryeministri me disa deklarata të fundit lane të nënkuptohej se zgjedhjet do të mbaheshin vetëm pas heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës./GAZETAENIGMA/

Related Articles