Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, në fshatin Qifllak të Rahovecit, ku dy persona janë përfshirë në një rrahje, ku njëri prej tyre tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë një Agzon Thaqi, 25-vjeçar dhe Besmir Gashi, 27-vjeçar, të cilët janë kapur për motive akoma të panjohura në pikë të mëngjesit.
Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë arrestuar personat e dyshuar dhe është sekuestruar një armë.
Të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me atë që ka ndodhur.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sinjali do të ju mbajë të informuar me detajet e reja.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.