Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka thënë se është koha që Serbia ta njohë realitetin e pavarësisë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Ai përmes një postimi në “Twitter”, i ka reaguar Zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Mathew Palmer duke thënë se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë do të stabilizonte marrëdhëniet midis dy vendeve por edhe rajonin.
“Është koha që Serbia të pranojë përpara se të vazhdojë të mohojë realitetin e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetin territorial të Kosovës. Njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë do të normalizonte marrëdhëniet midis dy vendeve dhe do të stabilizonte rajonin.”, shkruan Hamiti.
I dërguari Special i SHBA’së, Matthew Palmer, deklaroi se qëllimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara mbetet të arrijnë njohjen reciproke midis Beogradit dhe Prishtinës, por që Uashingtoni mbështet gjithashtu modalitetet e tjera të marrëveshjes, nëse të dy palët bien dakord.
Pasi bisedoi me të dërguarin special të BE Miroslav Lajçak dhe zyrtarë të lartë në Beograd dhe më parë në Prishtinë, Palmer tha dje për mediumin serb N1 se janë më afër një marrëveshjeje, “në kuptimin që të dy palët janë të gatshme të angazhohen seriozisht në dialog”.
“Ne besojmë se vetëm njohja e ndërsjellë i jep fund kësaj çështjeje. Ne kemi një vizion për të ardhmen. Ne mendojmë që Serbia dhe Kosova duhet të integrohen plotësisht në familjen evropiane, të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Si mund të jenë dy vende anëtare të BE-së nëse nuk njohin njëra-tjetrën? Kjo hap plotësisht rrugën evropiane për të dy palët. Kjo është arsyeja pse ne, si Shtete të Bashkuara, e shohim njohjen e plotë të ndërsjellë si mënyrën më të mirë për t’u arritur integrimi. Në kushte ideale, ne besojmë se kjo njohje e ndërsjellë duhet të jetë në qendër të marrëveshjes së ardhshme për normalizim”, deklaroi Palmer.
“Një marrëveshje zbërthehet në çdo gjë për të cilën të dy palët bien dakord. Dhe qëllimi ynë është të inkurajojmë palët të ulen së bashku, të tregojnë se cilat janë vijat e tyre të kuqe, çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjnë. Ne nuk përcaktojmë rendin e ditës, as nuk përcaktojmë rezultatin. Ata udhëheqin të gjithë procesin. I mbetet Beogradit dhe Prishtinës të përcaktojnë se çfarë është një marrëdhënie normale për ta ose një marrëdhënie më normale se tani”, shpjegon ai.
Duke folur për “non-papers” që u shfaqën më herët, dhe të cilat parashikonin ndryshime në kufijtë në Ballkanin Perëndimor, Palmer tha se këto dokumente nuk meritojnë ndonjë vëmendje dhe janë të parëndësishme. /Gazeta Enigma/