Në incidentin tragjik që ndodhi të premten në Bon Vivant, ku mbeti i vrarë një person dyshohet se është i përfshirë edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hisni Gecaj.
Ai po dyshohet për pjesëmarrje në rrahjen që i parapriu vrasjes dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa i dyshuari kryesor është Andi Pajaziti, e bashkë me ta edhe Gëzim Zakuti.
Ndaj tyre tashmë është caktuar masa e paraburgimit, ndërkohë që i dyshuari tjetër, Dukagjin Nikollaj, akoma s’është kapur.
Në seancën dëgjimore që është mbajtur ndaj tyre, Gecaj e ka quajtur humane ndërhyrjen e tij në këtë rast, duke deklaruar se qëllimi i vetëm i tij ka qenë që të parandalohej konflikti që kishte nisur mes dy palëve.
Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se Gecaj ka thënë se edhe të ndjerin e ka njohur, por edhe Andin, prandaj sipas tij, kur ata e kanë lënë të kuptojë që kanë marrëdhënie të mira, ai s’ka tentuar më t’i ndajë.
Madje, ai ka deklaruar se nuk e ka ditur se personat e përfshirë kanë qenë të armatosur.
“Unë kam qenë në vendin dhe në kohën e gabuar. Unë e kam vërejtur se situata po eskalon dhe kam dashur që të ndërhyjë, që t’i parandaloj, për arsye se ka filluar si rrahje dhe nuk e kam ditur se do të përdoren armët. Unë kam qenë vet, por kur kanë filluar kacafytjet, unë e njoh edhe Andin, por edhe të ndjerin. Kam dashur t’i ndajë. Andi dhe i ndjeri ma kanë bërë me shenjë të gishtit, mos u shqetëso dhe gjithçka është në rregull dhe më kanë lënë me kuptu se kanë raporte të mira. Për mua ka qenë humane ndërhyrja ime pasi qëllimi im ka qenë që të parandalohet konflikti. Thikën e kam mbajtur se është thikë ushtarake që e mbajmë në ushtri”, ka deklaruar Gecaj.
Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë?
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se i ndjeri Kastriot Ramadani po qëndronte ulur në lokal me Nikollajn dhe një person akoma të paidentifikuar, teksa në ato momente në “Bon Vivant” kishin hyrë Pajaziti dhe Zakuti, ku që nga aty nisi sherri.
Sipas prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani dhe personi i paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani”.
“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.