Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për ngjarjen e së premtes të ndodhur në “Bon Vivant”, ku mbeti i vrarë një person dhe u lënduan 17 të tjerë.
Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ua ka hedhur fajin institucioneve për drejtësisë, duke thënë se persona me precedentë penalë po lëvizin lirshëm.
“Janë të shumta rastet ku si pasojë e mos-veprimit të sistemit të drejtësisë, persona të ndryshëm me precedentë të shumtë penalë, lëvizin lirshëm qoftë të liruar nga organet apo të pandjekur fare të cilët rrezikojnë dhe marrin jetën e qytetarëve tanë. Edhe raportet e ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo-efikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore”, ka deklaruar shefi i Qeverisë.
Ai, teksa ka kritikuar sistemin gjyqësor, ka përmendur rastin e Dardan Krivaqës. Sipas tij, është dashur reagim i gjithëmbarshëm në mënyrë që të marrim një vendim.
“Kur ndodh një krim po duhet të ngritët shoqëria të kemi vendim meritor nga Gjykata, shembulli i fundit është dënimi me burg të përjetshëm për vrasësit e së ndjerës Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. U dasht një shoqëri e popull i tërë të dënojë publikisht krimin në mënyrë që gjykata të mund të nxerrë verdikt meritor. Vendimet e drejtësisë kanë efekt të dyfishtë në shoqërinë e çdo vendi: Përveç se sjellin drejtësi për viktimat e të dëmtuarit, ato diktojnë edhe parashikueshmërinë e pasojave të çdo veprimi të paligjshëm e penal, duke ndikuar në parandalimin e krimeve”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
“Besimi në organet e drejtësisë vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim me institucione të tjera. Sipas raportit të UNDP dhe USAID “Pulsi Publik”, teksa niveli i kënaqshmërisë është rritur në mbi 50 përqind, për organet gjyqësore dhe prokuroriale trendi i tyre vazhdon të jetë i ulët. Sipas këtij raporti kënaqshmëria e qytetarëve për performancën e sistemit të drejtësisë, gjykata dhe prokurori është vetëm 29 për qind”.