Aksidenti mes veturës së Policisë dhe të miturës me trotinet në Gjilan – IPK rekomandon suspendimin nga puna të zyrtarit policor

Të martën në Gjilan ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë një veturë e Policisë dhe një e mitur me trotinet. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

IPK njofton se për zyrtarin policor, ngasës i automjetit, është rekomanduar suspendimi nga puna.

“Ju informojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (tutje IPK), me datë 08.08.2023, ka pranuar njoftimin nga Policia e Kosovës-Trafiku Regjional, DRP – Gjilan, se një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës në kryerje të detyrës, ishte përfshirë në aksident trafiku me këmbësor. Hetuesit e IPK-së janë paraqitur në vendngjarje dhe kanë ndërmarr veprimet hetimore dhe kanë njoftuar Prokurorin e Shtetit të cilit i janë prezantuar të gjeturat e hetimit deri në atë faze”, tha IPK.

Gjithashtu me udhëzim të prokurorit të shtetit rasti është hapur si “Rrezikimi i trafikut publik”.

“Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit është hapur rasti penal “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370 i KPRK-së. Si pjesë e procedurës administrative hetimore për të  dyshuarin, zyrtarin policor (ngasësin e automjetit), është rekomanduar masa administrative suspendim nga puna”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë Express.

Lidhur me këtë rast policia ka dhënë detaje edhe në raportin 24-orësh të saj.

Policia infirmoi se viktima fillimisht është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për t’u mjekuar e më në spitalin e Gjilanit.

“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME/ Gjilan, 08.08.2023 – 14:10. Raportohet për një  aksident trafiku në mes veturës së policisë dhe një të miture femër kosovare, e cila ishte duke drejtuar një trotinet. Viktima  është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për tretman mjekësor e me pas ka vazhduar tretmanin në spitalin e Gjilanit. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori dhe IPK-ja”, ka njoftuar policia.

Related Articles