Historia e familjes Lutfiu nga fshati Goshicë në Viti përveç se është e rëndë, është mjaft edhe e trishtë. Brenda një viti e pak, Ismajl Lutfiu humbi dy djemtë, në aksidente trafiku. Djali i parë iu vdiq në maj të vitit të kaluar dhe teksa mërzia vazhdonte të jetë e madhe, ata po përjetojnë sërish dhimbje për humbjen e djalit tjetër.
Para pak më shumë se një viti, më 28 maj 2022, i riu Qëndrim Lutfiu u aksidentua me motoçikletë, ku për pasojë nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe fatkeqësisht ndërroi jetë. Disa muaj pasi i mbushi 29 vjeç, Qëndrimi vdiq, për t’i lënë përjetë të pikëlluar familjen, miqtë e gjithë farefisin.
Prindërit e tij, ishin ata që vuanin çdo ditë për vdekjen e të birit, e madje nuk nguronin që çdo muaj të shkruanin në rrjete sociale, fjalët më prekëse, për humbjen e tij.
“Ditet, javët, muajt, po ecin e malli per ty Biri im vjen e shtohet ma shumë. Mungesa jote pom percjell gjdo hap qe eci..”.”Sot është dtl jote e 30 biri im e mungesa jote e rand shum pa ty Bir”, ishte njëri nga postimet e nënës, në prag të ditëlindjes së Qëndrimit, të cilin e humbi në moshë të re.
Pa kaluar 3 muaj nga përvjetori i parë i vdekjes së tij, familja Lutfiu u përballë me goditjen tjetër, jashtëzakonisht të trishtë. Pikërisht në një aksident trafiku, ata humbën edhe djalin tjetër, 23-vjeçarin, Qlirim Luftiu, raporton Sinjali.
Pas rreth 3 javësh trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai nuk arriti të mbijetojë dhe vdiq të hënën pasdite. I riu po merrte trajtim në QKUK që nga 22 korriku, për shkak të lëndime të rënda që kishte marrë në aksidentin në të cilin u përfshi.
Ky lajm tronditi familjen e tij, të cilët shpresonin se 23-vjeçari do të arrinte t’i përballonte lëndimet, por fatkeqësisht ndodhi e kundërta.
Lamtumira e fundit, atij iu dha të martën pasdite, në varrezat e fshatit Goshicë.
Kjo është ndër historitë më të dhimbshme që kanë ndodhur në Kosovë, ku dy vëllezër kanë humbur jetën në aksidente rrugore.