Ish-Komandanti i FSK-së: Mehaj s’ka lejuar të dirigjohet, s’besoj se dha dorëheqje për arsye personale

Ish-Komandanti i FSK-së: Mehaj s’ka lejuar të dirigjohet, s’besoj se dha dorëheqje për arsye personale

Ish-Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka folur lidhur me dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Kastrati ka thënë se Ministria e Mbrojtjes ka shënuar progres më të lartë gjatë udhëheqjes nga ai, duke theksuar se Mehaj nuk ka lejuar që të dirigjohet nga askush. Madje, sipas tij, kjo mund të ketë qenë një prej arsyeve pse ka dhënë dorëheqje.

“I vetmi dikaster që ka dhënë rezultate pozitive ka qenë Ministria e Mbrojtjes me Mehajn. Më e rëndësishmja e ka rritur bashkëpunimin me partnerët strategjisë, sidomos SHBA-në. Ka bërë blerje strategjike të armatimit. Kjo është ndoshta një prej arsyeve që Mehaj ka dhënë dorëheqje, sepse e ka karakterin e një ushtaraku, nuk lejon që të dirigjohet apo komandohet nga dikush tjetër”, ka deklaruar Kastrati në KTV.

I pyetur nëse ndërhyrjet në punën e tij kanë ndikuar që Mehaj ta dorëzojë dorëheqjen si ministër, Kastrati ka thënë se “mund të ndodhë, sepse më së paku besoj që ai ka dhënë dorëheqje për arsye personale”.

Pas dorëheqjes së tij, Mehaj në një reagim të gjatë në Facebook, theksoi se e kishte njoftuar me kohë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai foli edhe për kohën sa ishte Ministër, ku shkroi se brenda 29 muajve sa ishte në këtë detyrë, kanë dyfishuar buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, nga 64 milionë euro në 123 milionë euro, kanë rekrutuar edhe 1836 ushtarë të rinj.

Related Articles