Cristiano Ronaldo përfundoi në shënjestër të polemikave në Arabinë Saudite, sepse gjatë festës së golit të realizuar me penallti në gjysmëfinale, bëri edhe shenjën e kryqit.
Ndoshta CR7 harroi se në botën arabe është e ndaluar shprehja publike e fesë së krishterë. Sipas ligjit, për të gjithë ata që e thyejnë rregullin, parashikohen ndëshkime.
Të gjithë ata që jetojnë në shtetin saudit dhe nuk janë myslimanë, nuk mund të luten në publik, apo të shfaqin objekte të shenjta të feve të tjera në mënyrë të dukshme. Në këtë mënyrë, edhe nëse keni një varesë me kryq, në Arabi nuk mund ta nxirrni me bluzë.
Shfaqja e simboleve të feve të tjera, dënohet nga ligji i “Përpjekjes për të konvertuar besimin fetar të njerëzve”. Në të kaluarën, episode të ngjashme janë ndëshkuar rëndë, ashtu si ndodhi me kolumbianin Juan Pablo Pino. Ai u arrestua në një qendër tregtare në Riad, sepse nga bluza e grisur dukej tatuazhi i Jezusit.
Ende nuk mund të thuhet me siguri se me çfarë dënimi mundtë përballet Cristiano Ronaldo. Fakti është që ylli portugez ka një arsye më tepër për t’u shqetësuar, përpara finales së Champions-it arab kundër Al Hilal të Koulibaly dhe Milinkovic-Savic.