Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se prezenca e Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale në veri të vendit është zvogëluar dhe se po punojnë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat atje.
Këto deklarata Osmani i bëri në takim me zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay.
Presidenca thotë se Osmani diskutoi me Bozay hapat konkret të cilat i kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës.
“Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani diskutoi edhe për hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit në përputhje me dakordimin në Bratislavë. Presidentja Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Një grup zyrtarësh po punojnë tashmë për ta hartuar një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në veri të vendit duke i larguar fillimisht kryetarët aktualë nga detyrat. Për ta përgatitur dokumentin kanë kohë deri më 1 shtator. Kryesuesi i këtij grupi pati thënë tha se kjo punë do të kryhet shpejt.
Qeveria Kurti duket e përkushtuar për të vazhduar edhe tërheqjen e policëve larg ndërtesave komunale në veri, dy muaj pasi me ndihmë të Policisë, kryetarët e zgjedhur shqiptarë atje u futën në zyrat e tyre.