Presidentja Osmani edhe njëherë i bën ftesë Erdoganit për vizitë në Kosovë

Presidentja Osmani edhe njëherë i bën ftesë Erdoganit për vizitë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay i shoqëruar nga Sabri Demiri, këshilltar i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.



Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet të dy shteteve dhe mundësia për thellimin e mëtejmë të tyre.

Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se shqiptarët që jetojnë në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë janë urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e Kosovës në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke kërkuar mbështetje të mëtejmë edhe për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Me zv.ministrin Kemal Bozay, Presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, organizimin e një forumi të bizneseve të dy shteteve,  sikurse edhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. 

Presidentja Osmani ka përsëritur ftesën për homologun e saj, presidentin Recep Tayyip Erdoğan për një vizitë në Republikën e Kosovës, në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani diskutoi edhe për hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit në përputhje me dakordimin në Bratislavë.

Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve.

Related Articles