Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar një familje në Ferizaj.
Sinjali mëson se hajnat kanë hyrë brenda shtëpisë dhe kanë marrë një motor që kap vlerën e rreth 10 mijë eurove, si dhe një armë me municion.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se vjedhja është denoncuar nga pronari i shtëpisë, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.