Pas dy ditësh në arrati, Policia e Kosovës, ka arritur ta arrestojë personin që dyshohet për incidentin me thikë që ndodhi të dielën në Mitrovicë, ku një 47-vjeçar u plagos dhe pësoi lëndime të rënda.
Për motive akoma të panjohura, viktima u sulmua në qendër të qytetit nga i dyshuari, i cili tashmë është kapur.
Kështu kanë bërë me dije burimet brenda Prokurorisë, me ç’rast njoftuan se i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka therur me thikë 47-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore.
I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë pasi fillimisht i ishte dhënë ndihma e parë në vendin e ngjarjes, njofton Sinjali.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi.
“Sipas informatave të pranuara, në afërsi të postes kryesore në Mitrovicë një person ka mbetur i lënduar dyshohet me mjet të mprehtë-thikë, personi është dërguar për tretman mjekësor në emergjencë ndërsa njësitë kompetente janë duke u marrë me rastin”, tha ai.