Pas 17 ditëve vonesë, pas një greve disa ditore, punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trepça” javën e kaluar morrën pagën e muajit korrik, shkruan Gazeta Enigma.
E ndonëse kërkesa e tyre ishte legjitime, ata do të penalizohen në pagesë për ditët sa ishin në grevë. 176 euro në total do tu ndalen atyre nga pagesa mujore.
Kryeshefi, Enis Abdurrahmani pati potencuar që në konsultim me zyrën ligjorë, kanë marrë vendim që t’iu shqiptohet dënimi në vlerë të meditjeve dhe shujtave ditore. Sipas tij në bazë të rregullores që kanë mund ta bëjnë këtë, ndërsa edhe i “paralajmëroi” minatorët se në një bojkot tjetër prej tre ditë mund të shpie edhe në shkëputje të kontratës.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, tha se 151 punëtorët të ndërmarrjes janë dënuar, më një shumë në bazë të meditjes së tyre, dhe se kjo shumë mund të rritet nëse punëtorët nuk i kompenzojnë ditët e humbura.
“Numri i punëtorëve të cilët janë penalizu është 151, shuma e dënimit sillet diku prej 50 deri 60 euro. Në rast se nuk kompenzohet ditët në të cilat kanë mungu punëtorët, shuma do të jetë shumë më e madhe, afro 180 euro ose më shumë” tha ai për Gazetën Enigma.
Jonuzi potencoi se punëtorët nuk kanë pranuar të kompenzojnë ditët e humbura pune, dhe se do të marrin masa ligjore ndaj vendimit të ndërmarrjes.
“Po tentojnë me i detyru punëtorët me i kompenzu ditët e punës, mirëpo punëtorët nuk kanë pranu, nuk e kanë mirëprit, dhe e kanë refuzu. Sot ata kanë kërku sqarime shtesë, se në cka janë bazu. Në rast se mjetet nuk kthehen dhe vendimi nuk tërhiqet, duhet të marrim hapa ligjor të cilët na takojnë” përfundoi ai.
Njohësi i sistemit të drejtësisë, Anton Nrecaj, tha se vendimarrja e tillë e ndërmarrjës ndaj punëtorëve grevist është e jashtligjshme.
Nrecaj tha se nga ky vendim, grevistët janë të mbrojtur nga ligji për grevist, ku thuhet se punëdhënësi nuk ka të drejtë të marrë asnjë veprim ligjor ndaj punëmarrësve.
“Në ligjin për grevat aty shumë mirë thotë, është një dispozite ligjore që thotë punëdhënësi nuk ka të drejtë asnjë veprim ligjor me marrë ndaj grevistëve, e as më tepër këso lloj vendimesh me i dënu në pagë, masë diciplinore ose dicka të ngjajshme. Ligji për greva ju jep të drejtë punëtorëve me i shfaq paknaqësitë përmes grevës” tha ai.
Në bazë të kornizave ligjore në vend, Nrecaj beson se në rast se ky vendim shkon në gjykatë dhe punëtorët vendosin për ta paditur ndërmarrjën, ligji për grevist do t’i favorizonte ata.
“Punëtorët duhet të shkojnë me padi. Gjykata do e hedh poshtë këtë vendim dhe do e obligoj punëdhënësin që gjitha mjetet që i’u takojnë me ligj, të i’u kthehen” përfundoi ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar pasi 151 minatorë të “Trepçës” ishin ndëshkuar nga menaxhmenti i kombinatit që mbajtën grevë për mosdaljen e pagave të korrikut.
Haxhiu me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se minatorët nuk ka arritur t’i nënshtrojë Serbia dhe sipas tij nuk mund t’i nënshtrojë as menaxhmenti i emëruar nga qeveria “Zdravo”.
“Menaxhmenti i ‘Trepçës’, i emëruar nga qeveria ‘Kurti’, nuk ua paguan pagat me kohë minatorëve. Kur ata i kërkojnë pagat për punën e tyre, menaxhmenti i dënon minatorët grevistë. Kështu me minatorët nuk është sjellë as regjimi i Millosheviqit. Minatorët nuk ka arritur me i nënshtruar as Serbia dhe nuk mund t’i nënshtrojë as menaxhmenti i emëruar nga qeveria ‘Zdravo’”, shkruan Haxhiu.
Sipas tij, dënimi i minatorëve për grevë është në kundërshtim me Ligjin për Grevat, si dhe dënimi kolektiv i minatorëve është shkelje kushtetuese.
“Dënimi i minatorëve për grevë është në kundërshtim me Ligjin për Grevat, dënimi kolektiv i minatorëve është shkelje kushtetuese. Ku janë 177 milionë euro të premtuara nga Albin Kurti për investim në ‘Trepçë’?”, përfundon ai. /Gazeta Enigma/