Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet e shumta ku përfshihen qytetarët gjithandej vendit. E shpeshherë të dyshuarit ia dalin që të arratisen nga duart e organeve të rendit.
Kështu ka ndodhur në qytetin e Podujevës, ku dy persona dyshohet se më shumë se dy javë më parë kanë sulmuar një 43-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njëri prej të dyshuarve ishte arrestuar dy ditë pas ngjarjes, ndërsa i dyshuari i dytë ishte arratisur.
Sinjali mëson se 35-vjeçari që po shijonte lirinë nga arratia, gjatë ditës së djeshme ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.