Gazeta Enigma ka raportuar së fundmi për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Kaçanik, ku një shtetas turk ka mbetur i lënduar rëndë si pasojë e një sulmi fizik nga një person i panjohur për të. 55-vjeçari ishte dërguar me urgjencë në spital të shtunën, ndërkohë që ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Ali Zeneli, 52-vjeçar, i cili ka përfunduar në ndalim policor, pasi u identifikua dhe u arrestua nga Policia.
Sipas informacioneve të para, për motive akoma të panjohura, i dyshuari Zeneli e ka goditur me veturë nga mbrapa viktimën, i cili ka qenë duke lëvizur në këmbë dhe më pas e ka sulmuar me mjet të fortë.
Si pasojë e plagëve, viktimës i është dhënë ndihma e parë fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, por për shkak të natyrës së lëndimeve, ai është transportuar atë ditë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore për zbardhjen e motivit dhe rrethanave të incidentit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.