Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e sotme pas takimit me Vuçiqin në Bruksel ka treguar se Kosova s’ka pranuar kushtëzimin e Serbisë që të niset së pari me implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kurti ka thënë se dokumenti i propozuar sot nga Serbia, s’është propozim por kushtëzim, duke shtuar se të vetmin propozim sot në Bruksel e ka bërë Kosova.
Kurti ka thënë se është për të ardhur keq se si në momentin kur është konstruktiv dhe bën propozime, shkaktohet nervozë brenda dhomës së negociatave dhe vështirësohet dialogu.
“Ne kemi bërë një propozim, dhe është për të ardhur keq se si pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime, shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Për kushtëzimin e Serbisë për themlimin e Asociacionit, Kurti ka thënë se ai fatkeqësisht është bërë edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe thotë se për të pasur progres duhet të tejkalohet.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, ndërkohë ka treguar se BE-ja ka propozuar implementim paralel të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohirt, por ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka refuzuar që të nisë i pari me themelimin e Asociacionit.
Ndërkohë ka thënë se Serbia ka pranuar propozimin e BE-së për proces paralel të implementimit të pikave të marrëveshjes.