Qeveria e Kosovës, ka bërë të ditur se në kuadër të dialogut mbi zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, janë dakorduar konkluzionet e “takimit të nën-komitetit për Energji, Mjedis, Klimë, Zhvillim Rajonal dhe Transport” për vitin 2023 e tutje.
Sipas njoftimit të qeverisë, sa i përket energjisë, Komisioni Evropian ka vlerësuar lart miratimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, si dokument kyç për ofrimin e bazës për dekarbonizimin, duke ruajtur sigurinë energjetike, sigurimin e furnizimit të përballueshëm dhe duke zgjeruar zhvillimin e burimeve alternative të energjisë.
“Kosova ka zbatuar me sukses Pakon për Mbështetje të Energjisë, dhe pritet që të zbatojë planin e veprimit duke përfshirë zbatimin e masave nga Fondi për Efiçiencën e Energjisë dhe për të siguruar shtrirjen e tij në sektorin e banimit, më qëllim përmirësimin e efikasitetit të energjisë për familjet dhe sektorin privat. Gjithashtu, pritet që një numër ligjesh dhe reforma të tjera të miratohen në përputhje me afatet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë”.
“Më tej, në fushën e mjedisit, KE ka vlerësuar pozitivisht progresin në miratimin e ligjeve gjatë vitit 2022. Sidoqoftë, Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkret në zbatimin e kornizës ligjore dhe strategjike. Në veçanti, Kosova duhet që t’i forcojë kapacitetet dhe përpjekjet institucionale për të siguruar nivel më të lartë të zbatimit në menaxhimin e mbeturinave, sektorin e ujit dhe integrimin e mjedisit në politikat e tjera”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Për sa i përket ndryshimeve klimatike, qeveria tha se Kosova ka shënuar progres duke e miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Ndryshimet Klimatike, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar zbatimin e saj, si dhe për të bërë progres në Planin Kombëtar të Mjedisit dhe Klimës.
“Në fushën e transportit, Kosova ka pjesëmarrje pro-aktive në Komunitetin e Transportit. Megjithatë, Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet në rritjen e sigurisë rrugore dhe të sigurojë një tranzicion më të shpejtë drejt transportit të qëndrueshëm, më të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës në të gjitha qytetet e Kosovës. KE dhe Kosova janë dakorduar për nevojën e vazhdimit të reformave legjislative dhe institucionale, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit”.
“Në fund, për zhvillimin rajonal, Komisioni vlerësoi miratimin e Ligjit për Zhvillimin Rajonal dhe bëri thirrje për miratimin e Planit të Veprimit për Zhvillimin Rajonal”, thuhet në njoftim.