Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në dorë mban orën që ia ka dhuruar ish-presidenti i Çekisë, Miloš Zeman.
Në emisionin “Hit Tweet” në TV PINK, ai iu përgjigj pyetjes së gazetarit, i cili tha se këto ditë po përflitet se presidenti serb mban një orë 500 mijë euro
Presidenti e hoqi orën nga kyçi i dorës dhe ia tregoi kamerës. Ai tha se orën ia ka dhënë në vitin 2019 ish-presidenti i Republikës Çeke, Miloš Zeman.
“Ka edhe një përkushtim. Për Aleksandar Vuçiqin, Presidenti i Republikës Çeke, Miloš Zeman, më 11 shtator 2019”, ka lexuar Vuçiq në dedikimin.
Thuhet se bëhet fjalë për një orë “Prima” të prodhuar në Çeki, modelet e së cilës kushtojnë nga 500 deri në 3000 euro.
“Ky model kushton rreth 1000 euro. Unë e di këtë sepse e kam veshur për vlerësim. E dini, është një dhuratë dhe si e tillë duhet t’i mbetet shtetit. Megjithatë, kam të drejtë ta blej përsëri, pasi ka vlerë sentimentale për mua. Prandaj kërkova vlerësim”, ka shpjeguar Vuçiq.
Ai gjithashtu tha se planifikon t’ia dhurojë atë orë fëmijës së parë të lindur në Kosovë në vitin 2024:
“Këtë orë do ta marrë ndonjë djalë apo vajzë nga Kosova”.
Ai shtoi se “i gjithë vendi e pa” se nuk bëhej fjalë për ndonjë orë Patek Philippe apo ndonjë tjetër, modelet e së cilës kushtonin disa qindra mijëra euro.
“Nuk më interesojnë gjëra të tilla. Unë jam i interesuar për gjëra krejtësisht të ndryshme. Dhe ata që shpikin dhe gënjejnë, padyshim se janë të interesuar për këtë, pasi shoh se i njohin mirë markat dhe modelet”, ka përfunduar Vuçiq.