Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje publike për njohje të Kosovës si anëtare e barabartë e OKB-së.
Siç raportohet, Milanoviq ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe për ngecjet në dialogun me Serbinë, duke bërë thirrje për normalizim të raporteve mes dy vendeve.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe dëshirojmë të inkurajojmë masat për de-përshkallëzimin e tensioneve. Në mënyrë të ngjashme, këto dy vende duhet të fokusohen në normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i kryejnë ato dhe të fillojnë të zbatojnë atë që ishte rënë dakord këtë vit në Bruksel dhe Ohër”, tha ai në Asamblenë e OKB-së.
Tutje, presidenti kroat kërkoi që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim edhe në strukturat euroatlantike pasi tha se stabiliteti dhe zhvillimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor është në interes të të gjithëve.
“Ne vazhdojmë të mbrojmë njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për ekzistencë si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve. Është në interesin tonë të promovojmë stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij rajoni, si dhe procesin e integrimit evropian, i cili besojmë se mbetet vendimtar për prosperitetin e ardhshëm të fqinjëve tanë dhe për të cilin shpresojmë se do të ekzaltohet në vitet e ardhshme”, ka deklaruar ai.